
Brad Pitt më në fund ka thyer heshtjen lidhur me betejën ligjore që ka zgjatur plot tetë vjet me ish-bashkëshorten e tij, Angelina Jolie – proces që përfundoi në dhjetor të vitit të kaluar, pasi ajo kishte kërkuar zyrtarisht divorcin që në vitin 2016.
Megjithatë, aktori 61-vjeçar nuk ka shprehur ndonjë ankesë, por përkundrazi ka minimizuar rëndësinë e këtij konflikti të gjatë, që ka tërhequr vëmendjen e mediave për gati një dekadë.
Në një intervistë për edicionin e qershorit të revistës GQ, të dhënë me rastin e promovimit të filmit të tij të ri për garat e Formula 1, Pitt ka deklaruar se për të përfundimi i këtij procesi nuk ishte ndonjë moment i jashtëzakonshëm: “Jo, nuk mendoj se ishte ndonjë gjë e madhe,” tha ai. “Ishte thjesht diçka që më në fund arriti në përfundimin e vet ligjor”.
Brad Pitt dhe Angelina Jolie kanë gjashtë fëmijë së bashku: Maddox (23 vjeç), Pax (21), Zahara (20), Shiloh (19) si dhe binjakët Knox dhe Vivienne (16). Çifti u martua në vitin 2014, pasi u njohën gjatë xhirimeve të filmit Mr. & Mrs. Smith. Pitt gjithashtu pranoi se jeta e tij romantike “ka qenë gjithmonë në lajme”.
“Prej 30 vitesh, vëlla. Ose një version i jetës sime private, le ta themi kështu”, tha ai për GQ.
Kujtojmë se kohët e fundit, Pitt ka rrëfyer se ndjen turp për faktin që nuk i njeh dot fytyrat e njerëzve, gjë që i ka sjellë momente të sikletshme në jetën e tij. Aktori ka pohuar se përballet me një gjendje të rrallë, e cila nuk është kuptuar plotësisht nga publiku. Ai ka shpjeguar se kjo e ka bërë të vështirë shoqërimin me njerëzit, për shkak të reagimeve që marrin kur ai nuk i njeh dot.
Më parë, Pitt ka treguar se përballja me këtë çrregullim – i quajtur prozopagnozi – e bën të ndihet i turpëruar, i izoluar dhe i keqkuptuar.
Në mënyrë të thjeshtuar, prozopagnozia është një formë e verbërisë për fytyra. Personat që vuajnë nga kjo gjendje nuk mund të dallojnë nëse një fytyrë e caktuar u është e njohur apo jo, dhe kujt i përket. Për këtë arsye, ata mbështeten në karakteristika të tjera si flokët, zëri, qëndrimi apo veshja për të njohur dikë.
Në format më të rënda të prozopagnozisë, personi nuk arrin të njohë as fytyrën e vet kur shikon pasqyrën.