Press ESC to close

“Kloni i Kroos”, çmend Rudigerin, debutimin ja dha Flick!!!

 

Real Madridi ka vënë syrin te një tjetër talent gjerman: Angelo Stiller. Mesfushori i Stuttgartit po përmendet gjithnjë e më shpesh në qarqet madrilene si pasardhësi i Toni Kroos – dhe jo rastësisht.

Në festimet e fitores së Kupës së Gjermanisë, bashkëlojtari i tij te Stuttgart, Deniz Undav, bëri një batutë që ndezi spekulimet: “Ne do të qëndrojmë këtu, për të nuk e di… Hala, Madrid!”.

Stiller po përflitet për një kalim të mundshëm në Real Madridi, dhe disa burime në Gjermani madje sugjerojnë se vetë Toni Kroos ka dhënë një rekomandim pozitiv për transferimin e tij. Kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht, por ajo që është e sigurt – është admirimi i madh që Antonio Rüdiger ka për të.

 

“Jam tifoz i madh i tij. Luajtëm kundër njëri-tjetrit në Ligën e Kampionëve dhe më la përshtypje qetësia e tij me topin. Nuk panikoi kurrë. Ka një të ardhme të shkëlqyer përpara nëse i shmanget lëndimeve” ka thënë mbrojtësi i Real Madridit dhe Gjermanisë.

 

“Kroos i shëmtuar”? Nuk ka zëvendës për legjendën

Krahasimet me Kroosin janë bërë të zakonshme në mediat gjermane dhe rrjetet sociale, ku ai është etiketuar me nofkën “Kroos i shëmtuar” – një përshkrim që vetë Stiller e merr me sportivitet, por edhe me rezervë.

“Askush nuk mund ta zëvendësojë Toni Kroos. Për mua, ai është lojtari më i madh gjerman i të gjitha kohërave. Nëse trajneri i kombëtares më sheh si pasardhës të tij, do të isha i nderuar. Është e vërtetë që kemi stil të ngjashëm loje”, u shpreh ai për Bild.

 

Stiller ishte edhe në radarët e Barcelonës gjatë dimrit, por ai zgjodhi të përqendrohet te Stuttgart.

Nga Bayern Munich te Stuttgart: një rritje graduale

Hansi Flick e hodhi për herë të parë në fushë për Bayern Munich në vitin 2020, në moshën 19-vjeçare, si në Kupën e Gjermanisë ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.“I jam mirënjohës atij deri më sot. Më dha debutimin tim profesional. Nuk jam zemëruar asnjëherë me Bayernin – përkundrazi, e dua shumë atë klub”, ka thënë ai.

Pas kalimit në Stuttgart në vitin 2023 për 5.5 milionë euro, Stiller u ribashkua me trajnerin Sebastian Hoeness – nipi i legjendës Uli Hoens dhe ish-trajneri i tij te Hoffenheim.

Që atëherë, Stiller është shndërruar në një nga mesfushorët më të rëndësishëm në Bundesliga.

Sezoni i tij 2024/25 ka qenë mbresëlënës: 47 ndeshje, 4 gola dhe 11 asistime. Në finalen e Kupës së Gjermanisë kundër Arminia Bielefeld, ai asistoi dy herë në fitoren 4-2, duke e mbyllur me stil një edicion të jashtëzakonshëm.

Por janë statistikat që e bëjnë të dallohet:

  • I treti në Bundesliga për pasime progresive (289).
  • I treti për pasime të filtruar në të tretën e fundit të fushës (271).
  • I dhjeti për topa të dërguar brenda zonës (50).
  • I katërti më i mirë në driblime të suksesshme (66.7%).
  • I treti për më shumë kontakte me topin në tërë Bundesligën (2,781).

Ai gjithashtu është goditës i rregullt i këndeve për Stuttgartin dhe ka treguar një kontroll të jashtëzakonshëm në lojën me një prekje.


“Qetësi me topin”, inteligjencë në fushë

Stiller nuk është lojtari më fizik, por pozicionimi i tij dhe leximi i lojës e bëjnë të domosdoshëm në mesfushë.

“Angelo sjell shumë qetësi dhe kontroll. Ka inteligjencë në mbrojtje dhe agresivitet në rikuperim”, ka thënë Julian Nagelsmann për të.Angelo Stiller është duke u rritur në hije të emrave të mëdhenj si Kroos, por me statistika mbresëlënëse dhe qëndrueshmëri në lojë, ai po shndërrohet në një “magnet” për klubet elitare – dhe Real Madridi mund të jetë stacioni i radhës për këtë dirigjent të ri gjerman.

- Sponsored Ad - Advertisement