
Izraeli e ka hedhur poshtë një raportim të gazetës “New York Times”, ku thuhej se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu kishte kërcënuar të pengonte bisedimet për armët bërthamore mes SHBA-së dhe Iranit duke sulmuar objektet kryesore të pasurimit të Iranit.
Megjithatë, raportimi theksoi përkeqësimin e tensioneve midis Netanyahut dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili është i etur të sigurojë një marrëveshje pavarësisht shqetësimeve të Izraelit mbi programin bërthamor të Teheranit.
Kjo mosmarrëveshje është një nga disa shenja që zbulojnë përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy liderëve, duke pasqyruar mosdakordësi më të gjera mbi Iranin, konfliktet rajonale, politikat ekonomike dhe prioritetet diplomatike, shkruan newsweek.
Ndërsa aleanca më e gjerë SHBA-Izrael mbetet strategjikisht e fortë, marrëdhënia mes Trump dhe Netanyahut është përkeqësuar ndjeshëm.
Edhe pse tensionet aktuale lidhen kryesisht me mosmarrëveshje politike – rreth Iranit, Gazës dhe diplomacisë rajonale – përçarja personale midis dy liderëve kishte nisur më herët.
Një pikë kthese e dukshme ndodhi në vitin 2020, kur Netanyahu e uroi publikisht presidenti amerikan, Joe Biden për fitoren në zgjedhje.
Trump, i cili ende e kundërshton rezultatin, e pa këtë veprim si një tradhti, transmeton Telegrafi.
“Personi i parë që e uroi [Bidenin] ishte Bibi [Benjamin] Netanyahu, njeriu për të cilin kam bërë më shumë se për çdo tjetër që kam pasur të bëj. Ai bëri një gabim të tmerrshëm”, tha Trump në një intervistë.
Ky moment shënoi një pikënisje të hershme në përkeqësimin e marrëdhënieve të tyre, të cilat më pas janë përcaktuar nga mospërputhjet politike dhe një afrim personal gjithnjë e më i zbehur.
1. Bisedimet bërthamore me Iranin
Trump ka ndjekur një qasje më diplomatike ndaj bisedimeve bërthamore me Iranin, duke kërkuar një marrëveshje që kufizon programin e Teheranit pa u përfshirë në përplasje ushtarake.
Në të kundërtën, Netanyahu mbetet shumë skeptik, duke paralajmëruar vazhdimisht se çdo marrëveshje që i lejon Iranit të ruajë objektet e pasurimit të uraniumit rrezikon sigurinë e Izraelit.
Netanyahu ka kërcënuar me veprime ushtarake edhe nëse diplomacia rezulton e suksesshme.
Zyrtarët izraelitë janë të shqetësuar se ngutja e Trump për të arritur një marrëveshje mund të çojë në lëshime të papranueshme për Izraelin, veçanërisht nëse Iranit i lejohet të mbajë objektet e pasurimit që Netanyahu i konsideron si një “vijë të kuqe.”
2. Konflikti në Gaza
Lirimi i fundit i pengut izraelito-amerikan, Edan Alexander ka thelluar tensionet midis Trump dhe Netanyahut, duke zbuluar strategji gjithnjë e më të ndryshme për Gazën.Ndërsa Trump e paraqiti lirimin si një përparim diplomatik dhe shenjë drejt një armëpushimi, Netanyahu e minimizoi rëndësinë e tij dhe theksoi se nuk janë bërë lëshime ndaj Hamasit, duke sinjalizuar përqendrimin e tij të vazhdueshëm në objektivat ushtarake.
Kjo ndryshesë në ton reflekton mospajtime më të thella: Trump ka shtyrë për qasje humanitare dhe de-përshkallëzim, duke mbështetur një sistem të ri për ndihma në Gaza që anashkalon Hamasin.
Netanyahu e ka mbështetur këtë mekanizëm, por mbetet i përkushtuar kryesisht ndaj një fushate të ashpër për çmontimin e Hamasit, pavarësisht kostos në rritje humanitare.
3. Armëpushimi në Jemen
Në fillim të këtij muaji, administrata Trump ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi me rebelët Houthi në Jemen, e cila nuk përfshin Izraelin – një zhvillim që i zuri zyrtarët izraelitë të papërgatitur.
Houthit kanë një histori të sulmeve ndaj objektivave izraelite, përfshirë edhe sulme me raketa pranë aeroportit Ben Gurion, dhe Izraeli nuk u konsultua përpara shpalljes së armëpushimit.
Ky përjashtim ka rritur shqetësimet se SHBA-ja po i jep përparësi diplomacisë rajonale më të gjerë përpara interesave të sigurisë izraelite.
4. Tensionet Ekonomike
Në muajin prill, presidenti amerikan vendosi një tarifë prej 17 për qind për disa importe izraelite, duke përmendur shqetësimet për koston e ndihmës financiare amerikane për Izraelin dhe nevojën për të mbrojtur industritë amerikane.
Kjo tarifë tronditi zyrtarët dhe bizneset izraelite, duke ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e bashkëpunimit ekonomik.
Edhe pse tregtia mes dy vendeve ka qenë historikisht e fortë, tarifat sinjalizuan një fazë më transaksionale dhe konfliktuale në marrëdhëniet ekonomike.
5. Turneu në Lindjen e Mesme
Ndoshta simboli më i qartë i përkeqësimit të marrëdhënies personale ishte turneu i fundit i Trump në Lindjen e Mesme, i cili përfshiu vizita në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, por la dukshëm jashtë Izraelin.
Pavarësisht përpjekjeve lobuese nga ana izraelite, Trump zgjodhi të mos përfshijë Netanyahun apo zyrtarë izraelitë në këtë udhëtim.
Ky vendim ngjalli habi në të gjithë rajonin, duke sinjalizuar një zhvendosje në prioritetet diplomatike të SHBA-së, larg boshtit tradicional SHBA-Izrael dhe më pranë partnerëve të Gjirit.
Çfarë pritet të ndodhë?
Përçarja në rritje midis Trump dhe Netanyahut nënvizon një dinamikë të ndërlikuar, ku mospajtimet personale dhe politike rrezikojnë të errësojnë një aleancë historikisht të fortë mes SHBA-së dhe Izraelit. Mënyra se si këta liderë do të menaxhojnë dallimet e tyre do të ketë ndikim të madh në ecurinë e diplomacisë rajonale, bashkëpunimit në siguri dhe stabilitetit më të gjerë në Lindjen e Mesme.