
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka shprehur mbështetjen e palëkundur të Qeverisë për prodhuesit vendorë në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, duke kritikuar ashpër Odën Ekonomike të Kosovës (OEK) për, siç tha ajo, përhapje të panikut dhe mbrojtje të interesave të një grupi të vogël të bizneseve.
Rizvanolli, në një postim në Facebook, pas takimit me prodhues dhe përfaqësues të odave ekonomike, Rizvanolli theksoi se së bashku me kryeministrin në detyrë Albin Kurti kanë riafirmuar zotimin për të përkrahur bizneset vendore në sfidat që sjell ky tranzicion.
“Ne do të qëndrojmë bashkë me prodhuesit vendorë, si gjithmonë, në çdo sfidë që sjell liberalizimi i tregut”, u shpreh Rizvanolli.
Ajo akuzoi OEK-un për sjellje të papërgjegjshme dhe përpjekje për të bllokuar procesin me metoda jo konstruktive, përfshirë thirrjen për bllokim rrugësh.
“Nga ky takim, Oda Ekonomike e Kosovës, që për 8 vite e vetmja ‘zgjidhje’ që e ofron është shtyrja e përballjes me problemin, paska shkuar për të bërë fotografinë me të cilën paralajmërojnë bllokim të rrugëve”, tha Rizvanolli.
Ajo i akuzoi për përhapje të frikës me “parashikime apokaliptike” për inflacion dhe humbje të vendeve të punës, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të mbrojtur interesat e 1%-shit më të fuqishëm të bizneseve në dëm të pjesës tjetër të ekonomisë.
“Kjo nuk është zgjidhje – kjo është zhvendosje e kostove të energjisë nga kompanitë e mëdha tek familjet dhe ndërmarrjet më të vogla”, shtoi ajo.
Ministrja u bëri thirrje përfaqësuesve të OEK-ut që të ndalojnë së barturi barrën tek qytetarët dhe të bashkëpunojnë me institucionet në ndihmë të sektorit prodhues. Ajo përfundoi me një apel të qartë: “Nëse insistojnë të lobojnë për interesat e një grupi të vogël në kurriz të shumicës, le ta shpjegojnë këtë hapur tek 99%-shi i bizneseve të tjera të vogla”.
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se ditën e enjte do të organizojë protestë në kryeqytet për shkak të pakënaqësive të tyre lidhur me procesin e daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.