Press ESC to close

S’keni kontrate per energji, çmime trefish me te larta!!!

Disa kompani në Kosovë kanë marrë oferta për energji elektrike deri në trefish më të larta se tarifat e tanishme, dhe shumica nuk kanë arritur ende të lidhin kontrata me furnizuesit. Megjithatë, nga 1 qershori, sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), të gjitha bizneset e mëdha do të dalin nga skema e tarifave të rregulluara dhe do të futen në tregun e lirë.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga përfaqësues të bizneseve, nuk do të ketë shtyrje të afatit për liberalizimin e tregut të energjisë, konfirmon Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Sipas vendimit të ZRRE-së, nga 1 qershori, të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji përmes tarifave të rregulluara, por duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ato kalojnë automatikisht në treg të hapur me çmime të parregulluara.

Ky vendim përfshin kompanitë me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro. Në Kosovë janë të regjistruara mbi 1.000 kompani të tilla që konsumojnë rreth 37% të energjisë së përgjithshme të shpenzuar.

Aktualisht, në treg janë të licencuara 21 kompani furnizuese me energji, ndërsa një tjetër është në proces licencimi. Shumica prej tyre janë nga Kosova, por ka edhe nga rajoni.

Operatori për Furnizim me Energji, KESCO, që aktualisht furnizon shumicën e konsumatorëve familjarë dhe industrialë, është një prej tyre.

ZRRE-ja njoftoi se shumica e furnizuesve janë ende duke analizuar profilin e konsumatorëve dhe duke përgatitur ofertat e tyre. Institucioni theksoi se vendimi mbetet në fuqi dhe mund të kontestohet vetëm përmes rrugëve ligjore – veprim që, më 28 maj, e paralajmëroi Partia Demokratike e Kosovës

 

Rritje e ndjeshme e kostos për bizneset

Të gjitha subjektet ekonomike që përfaqësojnë bizneset – përfshirë Odën Ekonomike të Kosovës, Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, Aleancën Kosovare të Biznesit dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë – kanë kërkuar shtyrjen e afatit për një vit.

Ata kanë thënë se kjo periudhë duhet të shfrytëzohet për të krijuar kushte që do ta bënin reformën më të pranueshme për bizneset. Në të kundërtën, liberalizimi rrezikon të shkaktojë dëme afatgjate, duke ndikuar në uljen e prodhimit dhe në rënien e konkurrueshmërisë ndaj kompanive të rajonit.

Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova” në Vushtrri, që ka 260 punëtorë, thotë se KESCO i ka ofruar një çmim prej 264 eurosh për megavat në orë (MWh) – trefishi i tarifës aktuale.

- Sponsored Ad - Advertisement