

Volkswagen parashikon një rënie të shpejtë të çmimeve të baterive. Ai pret që çmimet të bien për 50 për qind deri në vitin 2027, çka do të ulë ndjeshëm çmimin e veturave elektrike.
Ulja e çmimeve të baterive është kushti kryesor për të konkurruar me prodhuesit kinezë. Duke vendosur qelizat e baterisë direkt në kutinë e baterisë, dhe jo në module siç bëhet sot, mund të kursejnë peshë, madhësi dhe kosto.
Shumë prodhues të tjerë të makinave tashmë kanë kaluar në këtë zgjidhje, që në gjuhën teknike quhet C2P: cell-to-pack.
Bateria është komponenti më i shtrenjtë në veturën elektrike, prandaj prodhuesit duan ta thjeshtojnë dhe optimizojnë teknologjinë. Sipas Volkswagen, tani ka edhe shumë tregues që bateritë e makinave elektrike do të bëhen shumë më të lira në vitet në vijim.
Volkswagen parashikon gjithashtu se çmimet mund të bien edhe për 20 për qind deri në vitin 2029. Një arsye për këtë është përdorimi i qelizave më të lira LFP, të zhvilluara nga kompania PowerCo në pronësi të VW-së.
Kjo ulje kostosh do të aplikohet për të gjitha markat e Grupit, përfshirë VW, Cupra dhe Skoda.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) raporton se çmimet e lithiumit, komponentit kryesor të baterive, kanë rënë me më shumë se 85 për qind që nga kulmi i çmimit në vitin 2022. Njëkohësisht, investimet e mëdha në prodhimin global të baterive gjatë viteve të fundit kanë dhënë rezultate.