Press ESC to close

Çështja energjisë, Malushaj: Të gjitha qeveritë e deritanishme kanë dështuar

Hamdi Malushaj, kryetar i Kuvendit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar me krizën energjetike, duke i cilësuar protestat e fundit të bizneseve si të rënda dhe pasojë e një neglizhence të vazhdueshme institucionale.

Ai thotë se në këtë situatë, si bizneset ashtu edhe qeveria janë palë humbëse dhe në konflikt të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën.

Malushaj u shpreh i zhgënjyer me qasjen e institucioneve shtetërore ndaj sektorit energjetik, duke veçuar Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) si një institucion që, sipas tij, ka dështuar në mënyrë profesionale.

“ZRRE-ja është një institucion inkompetent në aspektin profesional. Ata nuk e kanë përfunduar punën që janë të obliguar të bëjnë. Kanë dështuar në mënyrë të përsëritur të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme”, tha Malushaj në emisionin “InfoPlus” në RTK .

Ai kritikoi të gjitha qeveritë e pasluftës për menaxhimin e dobët të sektorit energjetik, përfshirë edhe qeverinë aktuale të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilën e akuzoi për vazhdimësi të dështimeve të mëparshme.

“Qeveritë e deritanishme, përfshirë edhe këtë të LVV-së, kanë dështuar totalisht. Kanë sjellë situatën që problemi energjetik të jetë barrë e bizneseve dhe faktor i drejtpërdrejtë në ngecjen ekonomike. Sot asnjë politikan nuk ka fytyrë të flasë për këtë problem, sepse janë vetë shkaktarët”, theksoi ai.

Malushaj paralajmëroi se nëse nuk merren masa të menjëhershme dhe konkrete, sektori privat do të përballet me pasoja edhe më të mëdha, përfshirë mbylljen e shumë ndërmarrjeve, rritjen e papunësisë dhe uljen e konkurrueshmërisë në treg.

Ai bëri thirrje për një dialog të sinqertë dhe konstruktiv ndërmjet qeverisë dhe përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, me qëllim të hartimit të një strategjie afatgjate për zgjidhjen e krizës energjetike dhe mbrojtjen e interesave të sektorit privat.

- Sponsored Ad - Advertisement