Press ESC to close

“Defender 25”, ushtria amerikane dhe FSK-ja forcojnë ndërveprimin e NATO-s

Rreth 180 pjesëtarë nga Divizioni i 28-të i Këmbësorisë i Gardës Kombëtare të Ushtrisë së SHBA-së nga Pensilvania do të dislokohen në Kosovë për të marrë pjesë në stërvitjen “Immediate Response 25” (Reagimi i Menjëhershëm), së bashku me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). 

Kështu ka bërë të ditur Ambasada Amerikane në Kosovë përmes një deklarate për media, më 29.05.2025.

Kjo stërvitje do të realizohet si pjesë e DEFENDER 25, ushtrimi më i madh vjetor i Ushtrisë Amerikane.

“Kjo stërvitje përbën një komponent kyç të përpjekjeve të Ushtrisë Amerikane për të rritur gatishmërinë, për të demonstruar aftësitë për dislokim strategjik të shpejtë dhe për të forcuar bashkëpunimin me Aleatët dhe partnerët e NATO-s”, shkruan në njoftimin e Ambasadës.

Stërvitja në fjalë planifikohet të mbahet nga 26 maji deri më 9 qershor 2025.

Ky angazhim, sipas Ambasadës, mbështet planin gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së, duke avancuar zhvillimin e saj në një forcë mbrojtëse territoriale shumetnike, të ndërveprueshme me NATO-n dhe nën kontroll civil.

Sipas Ambasadës, stërvitja e “Reagimit të Menjëhershëm”, ose të shpejtë, është një nga tre ngjarjet kryesore stërvitore të DEFENDER 25 dhe përfshin mbi 12,000 trupa nga SHBA-ja, aleatët dhe vendet partnere. Aktivitetet shtrihen në tetë shtete: Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Greqi, Mal i Zi, Maqedoni e Veriut dhe Sllovaki.

“Në Kosovë, Divizioni i 28-të i Këmbësorisë dhe FSK-ja do të marrin pjesë në Immediate Response 25 si një komandë divizioni që mbikëqyr një brigadë shumëkombëshe. Ushtarë nga Divizioni i 28-të, së bashku me pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Iowas dhe të FSK-së, do të marrin pjesë gjithashtu në një stërvitje kombëtare në Zonën e Stërvitjes në Babaj të Bokës më 3 qershor”, shkruan në njoftim.

DEFENDER 25, e udhëhequr nga Ushtria e SHBA për Evropën dhe Afrikën, përfshin mbi 25,000 trupa nga 29 vende aleate dhe partnere, duke përdorur 14 pika ajrore nisjeje nga Shtetet e Bashkuara dhe duke dislokuar më shumë se 3,000 njësi pajisjesh në 18 vende mikpritëse.

Qëllimi kryesor është të demonstrojë aftësinë e Ushtrisë Amerikane për të lëvizur me shpejtësi personel dhe pajisje nga kontinenti amerikan drejt Europës për Operacione Luftarake në Shkallë të Gjerë dhe për të ekzekutuar misione të mëtejshme së bashku me aleatët dhe partnerët.

Kosova ishte nikoqire e ushtrimit ushtarak ndërkombëtar “Defender Europa”, edhe në vitin 2024.

- Sponsored Ad - Advertisement