Press ESC to close

Dy vite nga sulmi mbi KFOR-in dhe policinë në Zveçan, Sveçla: Bandat kriminale janë shpartalluar, veriu i Kosovës frymon ndryshe

 

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar sot dyvjetorin e sulmit të dhunshëm të 29 majit 2023 në komunën e Zveçanit, ku bandat serbe të mbështetura nga Beogradi sulmuan ushtarët e KFOR-it dhe Policinë e Kosovës.

Përmes një postimi, Sveçla ka theksuar se dy vite më parë, grupet kriminale serbe, të organizuara dhe të udhëhequra drejtpërdrejt nga Beogradi zyrtar, tentuan të ndalojnë marrjen e detyrës nga kryetarët legjitimë të katër komunave në veri të Kosovës.

Sulmet lanë dhjetëra ushtarë të KFOR-it të plagosur dhe përshkallëzuan tensionet në rajon.

“Ngjarja më e dhunshme ndodhi më 29 maj 2023 në Zveçan, ku bandat kriminale ushtruan dhunë brutale për të minuar sovranitetin dhe funksionimin institucional të Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla.

Ai theksoi se situata sot ka ndryshuar rrënjësisht.

“Sot, bandat janë shpartalluar, ndërkohë që kryetarët e komunave punojnë normalisht dhe qytetarët marrin shërbimet e nevojshme institucionale. Zveçani dhe veriu sot frymojnë ndryshe”, deklaroi ministri në detyrë.

Më 29 maj 2023, në Zveçan protestuesit serbë sulmuan trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Protesta ishte thirrur kundër hyrjes së kryetarit shqiptar në ndërtesën e komunës, pasi serbët i kishin bojkotuar zgjedhjet lokale me thirrje të Listës Serbe– partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit. Si rezultat, në krye të komunave me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok –erdhën kryetarë shqiptarë.

Nga përplasjet në Zveçan mbetën të plagosur rëndë dhe lehtë 93 ushtarë të KFOR-it që ishin të dislokuar para ndërtesës së komunës. Ndërkohë, u lënduan edhe rreth 50 serbë, shumë prej të cilëve më pas u larguan në Serbi dhe aktualisht nuk janë të qasshëm për drejtësinë në Kosovë.

KFOR-i e cilësoi sulmin ndaj pjesëtarëve të tij si “të paprovokuar dhe plotësisht të papranueshëm”, duke kërkuar që të gjithë pjesëmarrësit në dhunë të “ndiqen urgjentisht penalisht”. Ky mision ndërkombëtar shprehu gjithashtu shpresën se edhe autoritetet në Serbi po hetojnë personat që u kthyen atje pas trazirave.

- Sponsored Ad - Advertisement