Press ESC to close

Fermeri korçar tregon si i shpëtoi mollët nga ngricat e ashpra

 

Moti me ngrica gjatë periudhës së marsit dhe prillit dëmtoi jo pak sipërfaqe të mbjella kryesisht me mollë dhe qershi në qarkun e Korçës.

Në fshatin Dvoran, ku fermerët kultivojnë kryesisht varietetet e mollës, rreth 70% e prodhimit u dëmtua.

Megjithatë, disa prej fermerëve arritën të shpëtojnë prodhimin falë trajtimit në kohë të pemëve frutore me preparate kimike.

Arben Likollari është një nga fermerët më të suksesshëm të fshatit Dvoran, i njohur për kultivimin e mollës.

Ai tregon se, duke u bazuar në të dhënat që ka marrë nga Qendra e Transferimit të Teknologjive pranë Drejtorisë së Bujqësisë në Korçë, ka kryer në kohën e duhur trajtimin e sipërfaqeve të mbjella me mollë, duke përdorur preparate dhe duke siguruar ushqim të mjaftueshëm për bimët, si dhe duke kryer spërkatje të ndryshme.

“Trajtimi i mollës bëhet 4-5 ditë para ngricave. Kjo realizohet me preparate në mënyrë që bima të krijojë rezistencë kundër ngricës”, shpjegon ai.

“Shumë ferma që kanë varietetin ‘Sarkinke’ vuajnë nga deficenca, sepse fermerët nuk kanë marrë seriozisht trajtimin para ngricave, pavarësisht se preparatet ishin në dispozicion. Gjithashtu, trajtimi, pastërtia, ushqimi dhe rrallimi i pemëve një vit më parë në kohën e duhur janë faktorë të rëndësishëm”, shton Arben Likollari.

Një panoramë tjetër paraqet Pëllumb Cezmulka, një tjetër fermer nga i njëjti fshat, i cili tregon se një pjesë e mirë e prodhimit të tij u dëmtua për shkak të mostrajtimit në kohën e duhur.

“Kam mollë ‘Sarkinke’ dhe ‘Golde’. ‘Sarkinke’ ka pësuar shumë dëme për shkak të temperaturave të ulëta, ndërsa ‘Golde’ ka rezistuar pak më shumë. Nuk mund t’i mbrojtja siç duhet sepse temperaturat ishin shumë të ulëta. Këto dëmtime janë pasojë e kushteve klimatike”, shprehet fermeri Pëllumb Cezmulka.

Fshati Dvoran ka rreth 212 hektarë sipërfaqe të mbjellë me mollë, kumbull dhe qershi në gjithë juglindjen e vendit. /EuronewsAlbania/

 

 

- Sponsored Ad - Advertisement