
Këngëtari i grupit amerikan Imagine Dragons, Dan Reynolds, ka tërhequr vëmendjen në koncertin e fundit të mbajtur në Milano, pasi u pa duke ngritur flamurin e Palestinës.
Gjesti i tij u bë edhe më i komentuari, duke pasur parasysh se vitin e kaluar grupi kishte performuar në Izrael, pavarësisht thirrjeve nga aktivistët pro-palestinezë për ta bojkotuar atë koncert.
Në momentin kur një person nga publiku në Milano i hodhi flamurin e Palestinës, Reynolds e vendosi atë mbi supe. Ky veprim u përshëndet me duartrokitje nga të pranishmit, ndërsa videoja u shpërnda edhe nga aktivisti palestinez Motaz Azaiza me mbishkrimin: “Po e ndaj këtë, mos më pyesni pse”.
Reagimet në rrjet kanë qenë të përziera. Disa prej komenteve përfshijnë: “Një pjesë e imja është e lumtur, ndërsa një pjesë tjetër mendon se njerëzit e bëjnë këtë vetëm sepse e shohin tek të tjerët. Në fund të ditës, solidariteti është solidaritet”, “Frontmeni sapo u bë dhjetë herë më tërheqës”, “A janë ndjerë ndonjëherë keq që performuan në Izrael, edhe pse njerëzit i luteshin që të mos shkonin atje?”.
Në vitin 2023, Imagine Dragons mbajtën një koncert në parkun Yarkon në Tel Aviv përballë 60 mijë personave, pavarësisht protestave dhe thirrjeve të aktivistëve për ta anuluar.
Në një intervistë për revistën Rolling Stone në vitin 2024, Dan Reynolds tha: “Nuk besoj në idenë për t’ua mohuar fansave mundësinë për të na parë, vetëm për shkak të veprimeve të liderëve apo qeverive të tyre. Është një terren shumë i rrëshqitshëm. Kur fillon ta bësh këtë, ku i vendos kufijtë? Ka udhëheqës të korruptuar dhe nxitës lufte në mbarë botën”.