Press ESC to close

Haziri tregon pse u vendos Arbër Ismajli kandidat i LDK-së për kryetar të Gjilanit

Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur sot se Arbër Ismajli do të jetë kandidati i kësaj partie për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Në një deklaratë për media, Haziri theksoi se vendimi është marrë pas një procesi të kujdesshëm të konsultimeve me Kryesinë e Degës së LDK-së në Gjilan.

“Ky është një vendim që vjen si rezultat i një besimi të ndërsjellë dhe vlerësimi të thellë për punën, përkushtimin dhe vizionin që Arbëri ka dëshmuar gjatë viteve,” tha Haziri, duke theksuar kontributin e Ismajlit si nënkryetar i Komunës dhe si një aktivist i palodhur i LDK-së për tri dekada.

Haziri e përshkroi Ismajlin si pjesë të gjeneratës së dytë të LDK-së dhe si një njeri të përgatitur, të qetë në vendimmarrje e të guximshëm në veprim.

 

“Ka treguar se di të dëgjojë qytetarët dhe t’i shërbejë interesit publik me përulësi e profesionalizëm,” u shpreh ai.

Ai shtoi se nominimi i Ismajlit është një vendim i përbashkët i tij dhe i kryesisë lokale, duke e cilësuar atë si personin e duhur për të udhëhequr Gjilanin me dinjitet, përkushtim dhe dashuri për qytetin.

“E uroj përzemërsisht Arbërin dhe i dëshiroj sukses në këtë rrugëtim. Gjilani ka nevojë për energjinë, përvojën dhe vizionin që ai e përfaqëson. Bashkë për Gjilanin!” përfundoi Haziri.

- Sponsored Ad - Advertisement