

Nga data 9 deri më 13 korrik 2025, në Prishtinë do të mbahet Kampionati Evropian i Esporteve 2025 (European Esports Championship 2025), një turne i rëndësishëm në skenën evropiane të E-sportit.
Ky kampionat organizohet nga Federata Ndërkombëtare e Esporteve (IESF) dhe përfshin disa nga lojërat më të njohura, përfshirë Dota 2, ku do të konkurrojnë 12 ekipet më të mira nga Evropa.
Në mesin e këtyre ekipeve është edhe ekipi i Kosovës, i cili së fundmi është prezantuar nga Federata Esports e Kosovës dhe është gati me e përfaqësuar vendin në arenën e Esports.
Drini “cpirra” Idrizi, Albert “Sadpk” Bahtiri, Florian “Fll0” Sedolli, Lir “weatherbeaten” Nurboja dhe Zahir “zak” Delijaj janë djelmoshat që do ta përfaqësojnë Kosovën në këtë garë.
“Ekipi jonë prej 5 lojtarëve është gati me e përfaqësua Kosovën në arenën e Esports – edhe jo veç me u paraqit, po me lanë gjurmë!. Prej 9-13 Korrik, këta djem kanë me u përballë me ma të mirët në botë”.
“Prezantojmë ekipin që përfaqëson Kosovën në Dota 2 – e ndërtuar me strategji, pasion dhe një objektiv të vetëm: të dominojnë arenën e esports!”, thuhet në njoftimin e Federatës.
Sipas tyre, katër prej këtyre djelmoshave e kanë shkruar historinë që në vitin 2021 – kur fituan medaljen e parë për Kosovën në Kampionatin Botëror në EILAT të Izraelit.