Press ESC to close

Ndihmuan kandidatët për t’u pajisur me patentë shoferë – arrestohen 11 persona në tri rajone të ndryshme

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka realizuar një aksion të gjerë në kuadër të Planit Operativ “PATENTA”, duke zbatuar një urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Operacioni është zhvilluar në rajonet e Prishtinës, Gjilanit dhe Gjakovës, ku janë kontrolluar gjithsej 10 lokacione të ndryshme, përfshirë shtëpi private, zyra rajonale të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) – përkatësisht ato të koordinatorëve dhe ekzaminerëve – si dhe biznese që ushtrojnë veprimtari të auto-shkollave.

Hetimet për këtë rast kishin nisur disa muaj më parë, dhe gjatë tyre janë zbatuar masa të veçanta të hetimit që kanë rezultuar me sigurimin e provave të mjaftueshme për disa vepra penale, përfshirë:

“Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas Policisë, njëmbëdhjetë persona të dyshuar, të gjithë meshkuj kosovarë, dyshohen se në mënyrë të organizuar dhe të përsëritur kanë ndihmuar kandidatë të ndryshëm për të siguruar patentë shoferi të kategorive të ndryshme, në kundërshtim me ligjin dhe me qëllim përfitimi material për vete ose të tjerët.

Gjatë kontrollit, janë sekuestruar këto dëshmi materiale:

Një armë automatike AK-47

Dy armë zjarri të llojit revole

224 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm

Para të gatshme: 16,145 euro dhe 6,660 franga zvicerane

17 telefona mobilë

3 kompjuterë personalë (PC)

2 USB

Të gjithë të dyshuarit janë shoqëruar për intervistim, ndërsa me vendim të prokurorit, dhjetë prej tyre janë ndaluar për 48 orë, kurse një është liruar dhe do të ndiqet në procedurë të rregullt.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë për zbardhjen e plotë të rastit.
- Sponsored Ad - Advertisement