Press ESC to close

Përditësim për mendjet

 

Të paktën ka, në botën që na rrethon, njerëz që mendojnë, që i kuptojnë të vërtetat, por edhe i thonë. Ndjek hera-herës njërin prej tyre, Alexis Haupt. Sikur libri i tij “Fjalim mbi robërinë intelektuale: nga nënshtrimi intelektual te mohimi i tiranisë” të lexohej sa më shumë, diçka do të përmirësohej në të kuptuarit e botës.

Alexis Haupt është i datëlindjes 1990, pra nuk ka pasur nevojë të kalojë nëpër totalitarizëm, si puna e brezit tonë, për t’ia dalluar atij simptomat dhe për të menduar në mënyrë të kthjellët. Pikërisht prandaj kam përshtypjen që libri tij, sikur edhe me titullin, ia bën me sy një libri tjetër, një traktati klasik të mendimit çlirues njerëzor: “Fjalim mbi robërinë vullnetare”, të botuar në latinisht më 1574, më pas në frëngjisht më 1576, me autor një Etienne de la Boétie (1530-1563).

 

Vitet 1574 dhe 1576 janë të botimit, por llogaritet që autori ta ketë shkruar këtë traktat në moshën 18 vjeç, në mos edhe më herët. Të tillë, gati çunak, e ka përjetësuar edhe shtatorja e ngritur për të në komunën Sarlat-la-Kaneda, Dorgonjë, Francë.

La Boétie-a në shek. XVI argumentonte se çdo tiran mban pushtet për sa kohë që nënshtetasit e tij ia lejojnë. Lirinë origjinale ia ka dhënë njeriut natyra, sipas tij. Por, shoqëria njerëzore, duke u korruptuar nga zakoni, e braktis dhe pëlqen më shumë robërinë e kurtizanit sesa gjendjen e  njeriut të lirë që nuk pranon të nënshtrohet e të bindet. Kjo, e thjeshtuar kështu, mund të quhet teza themelore e traktatit. Ja një formulim, tanimë klasik, prej tij:

“Do të doja vetëm të kuptoja se përse kaq shumë njerëz, kaq shumë fshatra dhe qytete, ndonjëherë kaq shumë kombe, durojnë një tiran që nuk ka asnjë forcë përveç asaj që i është dhënë, që nuk ka asnjë pushtet për të bërë dëm përveç atij që i është toleruar. Ku mund të gjejë ai aq shumë sy për të të spiunuar po të mos ia kesh huazuar ti? Si mund të ketë ai kaq shumë duar për të të kapur po të mos i ketë marrë prej teje? Jini pra të vendosur për të mos shërbyer më dhe do të jini të lirë!”

Si tezë që trajton marrëdhëniet mes dominimit dhe bindjes, teza e La Boétie-së është rimarrë nga dhjetëra mendimtarë të mëpasëm. Siç është përdorur prej tyre, edhe është shpërdorur nga ndonjë shkollë, ajo e anarkistëve fjala vjen. Teza e tij ka rezultuar e parapëlqyer sidomos nga lëvizjet e “mosbindjes civile”, të cilat nxorën nga koncepti i rebelimit kundër “robërisë vullnetare” bazën e instrumentit të tyre të betejës. Étienne de La Boétie llogaritet edhe njëri ndër të parët që ka propozuar “mosbashkëpunimin” si formë të mosbindjes jo të dhunshme, por si armë efektive kundër një pushteti robërues.

Ç’është më interesantja, La Boétie-a ka refuzuar trajtimin e atyre që i ka quajtur “përbetime njerëzish ambiciozë”, të interesuar vetëm për rrëzimin e një kurore, por jo për largimin e një mbretërimi, ose për dëbimin e despotit, por për mbajtjen gjallë të tiranisë. Teza e tij synon, në parim, ndryshim dhe çlirim të thellë nga pushteti i shndërruar në sundim.

Por, po kthehem tek Alexis Haupt dhe libri i tij, të cilin e rekomandoj për lexim: “Fjalim mbi robërinë intelektuale: nga nënshtrimi intelektual te mohimi i tiranisë” mund të lexohet edhe duke e blerë online në formatin Kindle (2,99 €). Them se të gjithëve na bën mirë pak update-ing mendor.

“Totalitarizmi sot, – thotë Alexis Haupt, – nuk është më një burrë me mustaqe që ulërin para një mikrofoni, as Gulagu, por është kodi QR, injeksioni i detyruar i një produkti në gjak, monedha digjitale, çimka në krah … Dhe medet, në kohë e sipër sa qeniet njerëzore të përditësojnë softuerin e tyre dhe ta kuptojnë, tiranët çirakë e kanë rrugën të shtruar”.

- Sponsored Ad - Advertisement