
Një aeroplan i marinës së Koresë së Jugut është rrëzuar gjatë një trajnimi të pilotëve – kurse për fatin e katër personave që gjendeshin brenda nuk dihet asgjë.
Bëhet fjalë për aeroplanin e tipit P-3C që ishte larguar nga baza në juglindje të qytetit bregdetar Pohang, por që më vonë u rrëzua për shkaqe të panjohura.
Aeroplani besohet të jetë rrëzuar në një zonë malore, kurse ekipet emergjente në Pohang kanë njoftuar se ekipet e shpëtimit janë dërguar në vendin e ngjarjes me të marrë informacionin nga banorët e atjeshëm se një fluturake është rrëzuar dhe ka shpërthyer.
Policia në Pohang ka theksuar se në rrëzim është përfshirë një aeroplan patrullues i marinës, por që nuk kanë konfirmuar nëse ka të vdekur apo të lënduar.
Prodhuesi Lockheed Martin e përshkruan P-3 si “aeroplanin më të mirë detar me shumë misione dhe qëndrueshmërinë më të gjatë” në botë, i cili mund të kryejë detyra patrullimi dhe zbulimi ajror, sipërfaqësor dhe nëntokësor.