Press ESC to close

Stilisti i famshëm dëshmon në gjykatë se si P Diddy e kishte thirrur dhe kërcënuar të dashurën e tij, kur mësoi se ajo kishte dalë me Rita Orën në klub nate

 

Sean “Diddy” Combs i tërbuar e kishte goditur disa herë të dashurën e tij të atëhershme, Cassie Ventura, përpara miqve të saj, vetëm sepse ajo nuk i ishte përgjigjur në telefon – dëshmoi një stilist i famshëm të mërkurën në gjykatë.

Deonte Nash, stilisti i Cassie-s, dëshmoi para jurisë në gjyqin federal të Combs në Manhattan, duke treguar se kishte qenë dëshmitar i shpërthimit të dhunshëm të artistit të njohur në banesën e Cassie-s, ndërkohë që po e ndihmonte atë të përgatitej për një udhëtim në vitin 2013.

“A nuk të thashë të ma hapësh telefonin, moj k*rvë?”, kujtoi Nash që kishte thënë P. Diddy me zë të lartë, shkruan The New York Post.

Ai shtoi se Diddy “e kapi nga flokët, e tërhoqi nga divani dhe filloi ta godiste”.

Ngjarja ndodhi teksa Cassie po përgatitej të nisej për festivalin OVO të Drake në Toronto, dhe u zhvillua përpara Nash dhe disa personave të tjerë që ndodheshin aty, sipas dëshmisë së tij.

Në pjesë të tjera të dëshmisë, Nash – i cili kishte punuar për vite me radhë si stilisti personal i Cassie-s dhe që kishte një marrëdhënie të afërt me të – tha se Diddy përpiqej të kontrollonte çdo aspekt të jetës së saj.

Ai rrëfeu se në një rast tjetër, Combs e kishte detyruar Cassie-n të kthehej në shtëpi nga një dalje nate në një klub të komunitetit ‘gay’ në Los Angeles, sepse ishte acaruar që ajo kishte shkuar atje me të, me këngëtaren Rita Ora dhe me Adrienne Bailon-Houghton nga grupi “Cheetah Girls”.

 

Sipas Nash, ndërkohë që ndodheshin në klub, Cassie mori një telefonatë nga Combs, që ajo e hapi me altoparlant. Në atë bisedë, Combs i kishte thënë asaj se “duhej t’ia çonte menjëherë prapanicën në shtëpinë e tij”.

“Ajo nisi të panikosej”, dëshmoi Nash. “Më pas Combs telefonoi sërish dhe foli edhe me mua, duke më thënë se ne ishim çmendur, dhe se ai mendonte që na kishte ndaluar të dilnim – sepse sipas tij, sa herë dilja unë, ajo ‘k*rvë’ donte të dilte gjithashtu”.

Nash shtoi se pas kësaj bisede, “Cassie vetëm i mblodhi gjërat dhe shkoi në shtëpinë e tij”.

Stilisti, i cili kishte punuar për Combs nga viti 2008 deri në 2018, tha se kjo ishte një nga dy herët kur Combs ua kishte bërë të qartë atyre se duhej të kërkonin leje nga ai përpara se të dilnin.

Si stilist i Cassie-s, Nash tha se duhej t’i merrte aprovimin Combs-it për çdo veshje dhe pamje të saj.

 

Ai gjithashtu tregoi se Combs ishte irrituar jashtë mase para festës së ‘Vanity Fair’ për ‘Oscars’ në vitin 2014, sepse Cassie kishte zgjedhur t’i linte flokët e lëshuar.

“Ajo dukej fantastike… flokët e saj ishin të gjatë”, tha Nash, duke shtuar se Combs i kishte thënë me nervozizëm: “A nuk të thashë t’ia ngrije flokët lart?”

“Pastaj më kapi nga xhaketa dhe më ngriti lart”, dëshmoi ai. Pasi i kishte mbledhur flokët e Cassie-s, Nash tha se Combs kishte deklaruar: “E kisha me të drejtë, ashtu duket më mirë”.

Ndërkohë, Nash – i cili tha se kalonte pothuajse çdo ditë me Cassie-n – dëshmoi gjithashtu se dëgjonte shpesh Combs-in duke e fyer dhe kërcënuar ish-të dashurën e tij.

 

I pyetur për llojin e kërcënimeve që kishte dëgjuar, Nash u përgjigj: “Që do ta rrihte. Që nuk do t’ia nxirrte kurrë muzikën. Që do t’i pushonte nga puna prindërit e saj. Që do t’u dërgonte kasetat e tyre intime punëdhënësve të tyre”.

“I thoshte që ishte një k*rvë e vërtetë. Që nuk ishte asgjë më shumë veçse një leckë”, shtoi ai.

Stilisti dëshmoi gjithashtu se kjo sjellje e kishte shkatërruar psikologjikisht Cassie-n.

“Ajo bëhej jashtëzakonisht emocionale, qante, ndonjëherë rrinte ditë të tëra mbyllur në shtëpi, si në një guaskë”, tha Nash.

Sean “Diddy” Combs, 55 vjeç, i ka mohuar akuzat për përfshirje në veprimtari kriminale të strukturuar dhe trafikim seksual. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me burgim të përjetshëm.

- Sponsored Ad - Advertisement