Press ESC to close

Abdixhiku: Kosovës i duhet një “SPAK”

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas publikimit të aferave korruptive të anëtarëve të kabinetit të Qeverisë Kurti.

Ai kritikoi mënyrën se si pushteti aktual, sipas tij, ka favorizuar rrethin e ngushtë familjar në shpërndarjen e parasë publike.

Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Kosovës i duhet një “SPAK”.

“Le ta provojnë fatin. Se në Kosovë, fatin nuk e provojnë më qytetarët — por familjarët e pushtetarëve. Edhe në subvencione, edhe në grante, edhe në shitblerje të megavateve”, ka shkruar Abdixhiku, transmeton Telegrafi.

Tutje ai ka thënë “Fat familjarëve”.

“Kosovës ndërsa i duhet një ‘SPAK’. Le ta ‘provojnë fatin’ aty më pas. Do ta bëjmë!”, ka shkruar kreu i LDK-së.

Pushteti aktual që udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje është akuzuar se ka dhënë subvencione e grante me të njohur.

Së fundmi, ka pasur akuza edhe për “mafinë energjetike” që lidhet me persona të afërt me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

Në një konferencë për media sot, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tek e ka kundërshtuar vendimin për daljen e disa bizneseve në treg të hapur të energjisë nga 1 qershori, kanë thënë se “njëra nga kompanitë që ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë është MDA, kompani e themeluar nga shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi” e që tash udhëhiqet nga vëllai i tij.

Ndërsa, ministri në detyrë i Bujqësisë dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Faton Peci, është intervistuar gjatë kësaj jave nga Njësia e Veçantë e Hetimeve në Policinë e Kosovës, në cilësinë e të dyshuarit.

- Sponsored Ad - Advertisement