
Shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës, ku sot deklaruan se njëra nga kompanitë që ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë është MDA, kompani e themeluar nga Dalipi.
Në reagimin e tij publik, Dalipi ka shkruar se kompania MDA udhëhiqet nga vëllai i tij Driton Dalipi, dhe se ai ka aplikuar ligjërisht, ashtu siç bëjnë njerëzit normal.
“Po, është e vërtetë – që kur kam hyrë në Qeveri, Dritoni s’ka pushu së qenë vëllau jem (as nuk ishte për t’u pritur ndryshe ). Dritoni s’është ministër, s’është këshilltar, s’është as roje tek dera – është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë të suksesshme në biznes, ka vendos, para rreth 1 viti, me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër. Aplikoi ligjërisht, siç bëjnë njerëzit normalë. Portalet që e bënë këtë “Breaking News” ndoshta kanë nevojë për pushim veror… ose një kurs bazik në ekonomi. Kurse për ata që duan të dinë më shumë – lexoni më poshtë”, ka shkruar ai.
Mes tjerash, ai shton se “Dritoni, afarist që 20+ vite, është qytetar i lirë dhe ka të drejtë të angazhohet në zhvillim biznesi, si çdo qytetar tjetër në këtë vend”.
“Unë kam shërbyer me dinjitet dhe përkushtim në këtë Qeveri tash e katër vjet. Kjo nuk do të thotë që e gjithë familja ime ka hyrë në Qeveri. E as që duhet të paragjykohet për lidhje farefisnore me mua. Unë e inkurajoj Dritonin që të jetë sa më i suksesshëm në biznes, ashtu siç e bëj me secilin tjetër në sektor privat. (Lexoni biografinë e shkurtër timen në fund të këtij postimi për ta kuptuar më mirë pse e them këtë”, theksoi ai.
Tutje, ai ka pohuar se “Dritoni dhe cilido qytetar tjetër ka të drejtë të aplikojë për një licencë në tregun e liberalizuar të energjisë. Pastaj është çështje e tregut – ofertë e kërkesë – për ata që kuptojnë pak nga ekonomia. Nëse është konkurrues, do të kontraktohet nga kompani private. Asgjë më shumë, e asgjë më pak”.
“Për qytetarët e ndershëm të këtij vendi, përfshirë edhe ata me bindje të ndryshme politike: Mos i besoni gjithçkaje që lexoni në portale që fatkeqësisht shumë prej tyre janë shndërruar në vegla të propagandës politike. Ka shumë mercenarë që nuk e kanë hallin tek e vërteta, por tek titujt bombastikë”, nënvizoi ai..
Dalipi ka theksuar se “MDA është një kompani private me 20+ vite përvojë, në pronësi 100% dhe e drejtuar nga Dritoni – jo nga unë”.
“Nga viti 2004 deri në 2024, MDA ka qarkulluar 27 milionë euro, ka paguar 1.5 milionë euro taksa, dhe ka pasur mbi 500 punonjës të angazhuar në kohë të ndryshme, në qindra projekte. Shumica dërmuese të qarkullimit ka ardhur nga organizata e huaja donatore në Kosovë. Është kompani që nuk është as e afërt me militantizëm politik, por që bazohet në cilësi dhe profesionalizëm.
Përgatitjet për të hyrë në tregun e energjisë së ripërtëritshme Dritoni e ka marr para rreth një viti, për mundësinë për të investuar në tokë private familjare. Tregtimi i energjisë është parë nga ai thjeshtë si mundësi për ta komplimentuar këtë tendencë për tu zgjeruar në këtë sektor. Aplikimi për licencë është bërë në mënyrë të hapur, ligjore dhe të rregullt pranë ZRRE-së”, theksoi ai.