
Të enjten, për dy orë u mbyllën hyrjet kryesore të Prishtinës si pjesë e një proteste të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), me pjesëmarrjen e bizneseve nga të gjitha pjesët e vendit.
Protesta kishte për qëllim shprehjen e pakënaqësisë ndaj mënyrës së trajtimit të procesit të kalimit të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, pa përgatitjen e nevojshme institucionale dhe teknike.
Ndërkohë, reagimi i qytetarëve ndaj protestës ka qenë kryesisht në përkrahje të kësaj kërkese nga bizneset.
Në një sondazh të zhvilluar nga Telegrafi, me pyetjen: “A e vlerësoni protestën e bizneseve për mbylljen e hyrje-daljeve në Prishtinë për dy orë?”, shumica dërrmuese e pjesëmarrësve kanë shprehur mbështetjen e tyre.
Nga mbi 3 mijë votues në vetëm 24 orët e para, 71 për qind kanë votuar në favor të protestës, ndërsa 29 për qind kanë qenë kundër.
Ndryshe, nga Oda Ekonomike e Kosovë kanë thënë se ky tranzicion po ndodh në mënyrë të papërgatitur dhe pa konsultime të mjaftueshme me komunitetin e biznesit, çka, sipas tyre, rrezikon rëndë stabilitetin financiar të ndërmarrjeve dhe konkurrueshmërinë në treg.