Press ESC to close

Sensacioni i Eurovisionit vjen sivjet në Hardh Fest, krijuesi i hitit “Espresso Macchiato” do të performojë në Rahovec

Hardh Fest, një nga festivalet më të njohura agro-kulturore dhe muzikore në Kosovë, do të mirëpresë këtë vit një emër të veçantë të skenës ndërkombëtare – artistin estonez Tommy Cash.

Lajmi është bërë i ditur nga organizatorët e festivalit përmes një njoftimi në rrjetet sociale, duke konfirmuar se performanca e tij do të jetë pjesë e edicionit të radhës, që si zakonisht mbahet në fillim të muajit shtator në qytetin e Rahovecit.

Tommy Cash u bë një nga emrat më të përfolur të Eurovisionit këtë vit, duke përfaqësuar Estoninë me këngën e tij “Espresso Machiato”. Kënga e tij fitoi popullaritet të madh edhe para fillimit të festivalit evropian, duke u bërë virale në rrjete sociale dhe në media. Me stilin e tij unik, performancat e guximshme dhe qasjen e veçantë artistike, Tommy Cash rrëmbeu vëmendjen e publikut në mbarë Evropën.

Pjesëmarrja e tij në Hardh Fest shihet si një nga momentet kulmore të festivalit, i cili vit pas viti sjell në Rahovec artistë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë, duke krijuar një atmosferë të pasur kulturore e muzikore mes vreshtave të famshme të qytetit.

Edhe pse line-up-i i plotë për këtë vit ende nuk është bërë publik, organizatorët theksojnë se pjesëmarrja e Tommy Cash është vetëm një paralajmërim për nivelin dhe përmasat që pritet të ketë edicioni i ardhshëm.Hardh Fest ka ndërtuar një reputacion si një ndër ngjarjet më të dashura të fundverës në Kosovë, duke ndërthurur muzikën live, trashëgiminë bujqësore të rrushit dhe verës, si dhe mikpritjen tradicionale të Rahovecit.

 

- Sponsored Ad - Advertisement