Press ESC to close

Shpejtim Bulliqi sërish kandidat i LVV-së për kryetar të komunës së Podujevës

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se kandidat i tyre për kryetar të komunës së Podujevës do të jetë Shpejtim Bulliqi, i cili aktualisht udhëheq këtë qytet.

LVV në një postim në Facebook shkruan se qeverisjes së mirë ia zgjatin dorën dhe i japin mbështetje të parezervë.

Lexoni të plotë postimin e LVV-së:

Qeverisjes së mirë ia zgjatim dorën e ia japim mbështetjen e parezervë!

Me Kryetarin Shpejtim Bulliqi për fitoren e radhës në Besianë, për mandatin e radhës.

Kryesia e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë, në takimin e sotëm me pjesëmarrje të Kryeministrit Kurti, sekretarit organizativ Rama, koordinatorit të qendrave, deputetit Zyba dhe deputetëve të Kuvendit nga komuna e Podujevës, me unitet të plotë e me bindje të palëkundur konfirmuan mbështetjen dhe njëherazi vendosën për nominimin e kryetarit Shpejtim Bulliqi për mandatin e radhës, për të vazhduar mirëqeverisjen për qytetarët e komunës së Besianës.

Investimet e qeverisjes lokale të udhëhequr nga kryetari Bulliqi janë cep më cep Besianës, gjithandej lagjeve e fshatrave të saj, në të gjitha drejtimet, duke transformuar kështu rrënjësisht qytetin dhe fshatrat dhe duke realizuar një mori projektesh me interes për qytetarët e zonës.

Në arsim, 3 shkolla të përfunduara e 6 të tilla në realizim e sipër. Nga një çerdhe publike sa ishte funksionale, sot komuna e Podujevës ka 4 çerdhe funksionale, teksa janë në ndërtim e sipër edhe 4 sosh. E po ashtu po bëhet edhe Kuzhina Qendrore e cila do të ofrojë shujta ditore për fëmijët e çerdheve publike, nxënësit e shkollave fillore dhe mësimdhënësit.

Në sport, dy palestra të reja të përfunduara e një në realizim e sipër. 7 fusha sportive të realizuara dhe në proces ndërtimi edhe 10 të tjera në lokalitete të ndryshme. Pishina gjysmë-olimpike po bëhet po ashtu, projekt në vlerë 4 milionë euro.

Shëndetësia ka qenë tjetër drejtim ku mirëqeverisja ka gjetur zbatim. Urgjenca e re e qytetit e ndërtuar, QMF në Gllamnik e në Lluzhan të përfunduara. Teksa në ndërtim e sipër Qendra Rezidenciale për të moshuar, projekt që përfshinë kujdes mjekësor e shujta ditore ushqimore për mbi 200 të moshuar.

Është përfunduar projekti i galerisë së arteve teksa po përfundohet edhe renovimi i teatrit “Avdush Hasani” dhe në ndërtim e sipër është edhe qendra multifunksionale e qytetit.

Është bërë rikonstruktimi i plotë i rrugëve kryesore në qytet, mbi 150 kilometër rrugë të shtruara në territorin e komunës e është ndërtuar stacioni i ri i autobusëve. Teksa po vazhdojnë edhe punimet e rrugës së magjistrales Prishtinë-Podujevë ku është arritur progres i konsiderueshëm përbrenda këtyre 4 viteve, më shumë se çdo periudhë tjetër prejse ka filluar ndërtimi i kësaj rruge.

Ndërtimi i Digës së Pollatës dhe ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, janë dy projektet kapitale multimilionëshe në fushën e mjedisit, të cilat janë në procedurë e sipër për të filluar realizimin.

Zona industriale, tregu i gjelbërt dhe ndërtimi i parkut bujqësor, i pari i tillë në nivel vendi, janë imvestimet e tjera të cilat janë në faza fillestare, e të cilat do të realizohen nën drejtimin e kryetarit Bulliqi dhe qeverisjes së VETËVENDOSJE!-s në Besianë.

Këto e shumë punë të tjera janë tregues i qartë që qeverisja Bulliqi ka qenë motor i punëve e projekteve në të mirët të qytetarëve të komunës së Podujevës. Angazhimi i ekzekutivit lokal dhe këmbngulja e tyre për një Podujevë që zhvillohet çdo ditë e më shumë ka qenë misioni e vizioni i qeverisjes së LVV dhe nevoja e dëshira e qytetarëve të kësaj komune.

Në Llap, nuk ka prapakthim. Vazhdojmë edhe për një mandat, fuqishëm, me profesorin e Kryetarin Shpejtim!

Urime nominimin Kryetar Bulliqi dhe urime të gjithë qytetarëve të Besianës!.

- Sponsored Ad - Advertisement