
Teknologjia e kalibrimit automatik të altoparlantëve nga kompania Dolby, FlexConnect, më në fund po del në treg përmes televizorëve TCL QD-Mini LED.
Kompania e kishte njoftuar fillimisht këtë teknologji në vitin 2023 dhe kishte planifikuar ta prezantonte me linjën e televizorëve TCL për vitin 2024.
FlexConnect u mundëson përdoruesve të vendosin altoparlantë pa tela kudo në dhomë pa u shqetësuar për konfigurimin perfekt, pasi zëri rrethues (Surround) do të optimizohet automatikisht në bazë të shpërndarjes së hapësirës dhe pozicionit të altoparlantëve.
Pajisja e parë audio që do të mbështesë këtë teknologji do të jetë altoparlanti inteligjent TCL Z100, i dizajnuar për t’u çiftuar me televizorët TCL që mbështesin FlexConnect. Seria Precise Dimming e TCL, që përfshin modelet QM6K, QM7K dhe modelin e ri të shpallur QM8K, do të jetë e pajtueshme me këtë funksion.
Përdoruesit do të kenë mundësinë të çiftëzojnë deri në katër altoparlantë Z100 me televizorët e tyre TCL, të cilët do të punojnë në bashkëpunim me altoparlantët e integruar të televizorit për të ofruar një përvojë zanore Dolby Atmos të kalibruar në mënyrë inteligjente.
Kjo risi mundëson përjetimin e një zëri hapësinor mbresëlënës pa pasur nevojë për një vendosje të përkryer simetrike të altoparlantëve.
Në një deklaratë, TCL bëri të ditur se altoparlantët Z100 priten të dalin në treg gjatë kësaj vere. Përveç modelit QM8K, TCL ka prezantuar edhe Q65H, soundbar-in e tij më të ri me mbështetje për Dolby Atmos.