
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se kriza aktuale politike ishte e paralajmëruar gjatë fushatës zgjedhore që kulmoi më 9 shkurt.
Ai kritikoi qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se ky i fundit po ndjek një strategji të paqëndrueshme dhe kontradiktore.
“Kriza ka qenë e paralajmëruar që në fushatë. Zgjedhjet negative, ofendimet, nuk janë diçka e re për Kurtin — ai këtë metodë e ka përdorur tash e 20 vjet”, tha Haziri në një deklaratë për media.
Ai akuzoi Kurtin për përdorimin e një qasjeje të dyfishtë sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Sipas Hazirit, Kurti paradite e ka quajtur procedurale këtë proces, ndërsa pasdite është takuar me liderin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për të arritur një marrëveshje politike.
“Nuk mund të thuash se është procedurë dhe njëkohësisht të kërkosh marrëveshje politike. Nuk funksionon kështu. Qëllimi i Kurtit është i qartë – ai po përdor metodën ‘edhe, edhe’, por kjo nuk është e qëndrueshme në praktikën politike”, theksoi Haziri.
LDK ka qenë një nga partitë më kritike ndaj menaxhimit të proceseve institucionale nga Lëvizja Vetëvendosje, veçanërisht pas zgjedhjeve të fundit që kanë krijuar paqartësi rreth formimit të institucioneve të reja.