
UEFA ka vlerësuar rolin historik të Shqipërisë si vend mikpritës i Kampionatit Europian për U17, me një artikull të dedikuar në faqen e saj zyrtare uefa.com, që feston organizimin, pasionin dhe kulturën e futbollit të shfaqur gjatë gjithë turneut.
Më poshtë artikulli i plotë i publikuar nga UEFA:
Turneu i parë final i UEFA-s në Shqipëri është zhvilluar në një atmosferë të jashtëzakonshme dhe me turma të mëdha tifozësh, dëshmi e ndikimit transformues që ka pasur futbolli në vend.
Kur Shqipëria u përball me Portugalinë në Kampionatin Europian të UEFA-s për moshat nën 17 vjeç në vitin 2025, një turmë prej 8,600 tifozësh e rriti ndjeshëm rëndësinë e ngjarjes dhe e renditi ndeshjen hapëse ndër dhjetë ndeshjet më të ndjekura në historinë e turneut.
Atmosfera ishte e paharrueshme si brenda ashtu edhe jashtë “Arenës Kombëtare” në Tiranë, e cila u hap në vitin 2019 dhe është kthyer shpejt në një pikë qendrore të qytetit. Për EURO-n U17 të vitit 2025, ajo u shndërrua në një shenjë të asaj që do të pasonte, me turma të mëdha dhe të zëshme që u bënë një veçori dalluese e turneut.
‘Një ndjenjë shumë e bukur’
“Tifozët kuqezi na ndihmuan shumë, sidomos në pjesën e parë,” tha kapiteni i Shqipërisë U17, Kris Gecaj, duke shpjeguar se si mbështetja e tyre i dha skuadrës “kurajë” ndërsa ata u bënë lojtarët e parë që përfaqësuan ndonjëherë kombëtaren në një fazë finale. “Na dha motivim për të luajtur. Na pëlqeu shumë të luanim përpara tyre.”
Sulmuesi i spikatur Gabriel Kulla ishte në një mendje, duke thënë: “Të luaje në atë stadium ishte një ndjenjë shumë e bukur. Të shihje kaq shumë tifozë duke na brohoritur ishte diçka e veçantë.”
Përveç kryeqytetit magjepsës të Shqipërisë, turneu është zhvilluar edhe në vende piktoreske në qytetet antike të Durrësit, Elbasanit dhe Rrogozhinës. Para se të përfundonte dita e dytë e ndeshjeve, këto stadiume kishin tërhequr tashmë tri nga dhjetë turmat më të mëdha në historinë e fazës së grupeve të këtij turneu, për ndeshje ku nuk ishte e përfshirë skuadra pritëse.
Pasion dhe pozitivitet
“Nuk do të thoja se jam befasuar, sepse ne shqiptarët e duam futbollin dhe gjithmonë e ndjekim lojën me pasion,” thotë Armand Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit.
“Por sigurisht jam i kënaqur me pjesëmarrjen e madhe në çdo qytet. Ka qenë e mrekullueshme të shohim kaq shumë tifozë të rinj dhe familje duke shijuar ndeshjet dhe duke treguar entuziazëm të vërtetë për turneun”.
“Shqiptarët jetojnë dhe marrin frymë me futboll, ndaj ishte natyrale të shiheshin turma të gjalla, energji pozitive dhe një atmosferë feste si brenda stadiumeve, ashtu edhe në zonat përreth tyre.”
Frymëzimi i brezit të ri
Endi Tufa, gazetar sportiv në kanalin kombëtar televiziv Top Channel, është mbresëlënës. “Atmosfera ka qenë vërtet e mahnitshme,” thotë Tufa. “E ndjen kudo në qytete – veçanërisht në shkolla, ku të rinjtë kanë mbushur stadiumet.”