Press ESC to close

Kurti vlerëson Pecin ditën e intervistimit nga Prokuroria për kontratën 60 milionëshe!

 

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka shprehur mbështetje dhe lëvdata publike për Ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, në ditën kur ky i fundit u përball me hetime nga Prokuroria Speciale në lidhje me një kontratë të dyshuar prej 60 milionë eurosh për përpunimin e mbetjeve shtazore.

Peci u intervistua për pesë orë nga organet hetuese si i dyshuar, por u lirua me procedurë të rregullt.

Kontrata në fjalë ka qenë objekt diskutimi publik dhe shqetësimi në lidhje me mënyrën se si janë menaxhuar dhe shpenzuar fondet publike.

Ndërkohë, gjatë së njëjtës ditë, Kurti përdori platformën e tij në Facebook për të lavdëruar punën e Pecit, duke e përmendur atë me superlativa në kontekstin e hapjes së Panairit “Agrokos & Agrotourism 2025”.

“Panairi AGROKOS & Agroturizmi 2025 – një ngjarje vjetore ku përfaqësohen prodhuesit e kulturave bujqësore, përpunuesit e produkteve të frutave dhe blegtorisë, kompanitë e makinerive bujqësore, pijeve artizanale, paketimit dhe standardizimit, si dhe agroturizmi, një sektor që po bëhet një aset i ri për vendin tonë”, shkroi Kurti.

Ai shtoi se arritjet në bujqësi janë rezultat i “prioriteteve dhe trajtimit serioz” që, sipas tij, u bënë nga qeveria dhe nga “qeverisja e mirë dhe e suksesshme” e Ministrit Peci.

Postimi i Kurtit vjen në një moment delikat për Ministrin e Bujqësisë, ndërsa hetimet për kontratën e dyshuar mbeten të hapura.

Zëdhënësja e prokurorisë, Arbnora Luta, tha se Peci është marrë në pyetje për disa orë si i dyshuar në këtë rast.

 

Ai u lirua sipas procedurës së rregullt pasi u intervistua nga Njësia e Hetimit Special.

Të martën, Zyra e Prokurorisë Speciale autorizoi Policinë e Kosovës që të kryejë bastisje më 27 maj në katër lokacione në lidhje me këtë rast.

Në lidhje me hetimet në fabrikën e përpunimit të mbetjeve shtazore është intervistuar edhe kreu i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha. Avokati i tij, Artan Çerkini, njoftoi se Hoxha, i cili është intervistuar si i dyshuar, është liruar më vonë në procedurë të rregullt.

Më herët gjatë ditës, prokurori i Prokurorisë Speciale, Admir Shala, më vonë gjatë një paraqitjeje në media tregoi se bastisje u kryen në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor, Agjencinë Veterinare, si dhe në vendndodhjen e kompanisë përfituese.

“Siç e dini, Prokuroria Speciale ka nisur një hetim në lidhje me dhënien me qira të fabrikës për përpunimin e produkteve shtazore. Hetimi është duke u zhvilluar në lidhje me dyshimet për dhënien me qira të kësaj fabrike. Jemi në fazën e hetimit, po kryejmë kërkimin dhe kontrollet bazuar në urdhrin e gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Gjithashtu, me autorizimin tonë, policia, së bashku me ne, po ndërmerr veprimet e nevojshme për të siguruar informacionin e nevojshëm dhe për të sqaruar rastin konkret”, tha ai.

Lidhur me aksionin në Ministrinë e Bujqësisë, ka reaguar Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Ajo e ka cilësuar veprimin e Prokurorisë, të udhëhequr nga Blerim Isufaj, kundër Pecit si një “inskenim të rëndë”.

“Kur pikërisht ata që janë të ngarkuar me mbrojtjen e sundimit të ligjit dhe qytetarëve të Republikës nga krimi e keqpërdorin sistemin e drejtësisë për hakmarrje dhe për të njollosur figura politike të suksesshme dhe të pastra, atëherë asgjë nuk duhet të na habisë më”, shkroi Gërvalla në Facebook.

Partia Demokratike e Kosovës kishte reaguar një ditë më parë për fabrikën e mbeturinave shtazore. Sipas kësaj partie, Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ia ka dhënë me qira pronën për fabrikën e mbeturinave shtazore një kompanie për 20 vjet pa ankand publik.

PDK tha se Ministria e Bujqësisë ka shkelur Ligjin për Pronën Publike, i cili, sipas saj, parashikon që pronat publike të jepen me qira vetëm përmes ankandit publik dhe për jo më shumë se 15 vjet, përveç rasteve kur merret një vendim në Kuvendin e Kosovës.

 

- Sponsored Ad - Advertisement