
Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se vendimi i tij për të vendosur taksë doganore prej 50 për qind mbi Bashkimin Evropian ishte i suksesshëm, duke pretenduar se kjo nxitje i ka detyruar bllokut të përshpejtojë negociatat.
“Isha jashtëzakonisht i kënaqur me vendosjen e taksës doganore prej 50 për qind ndaj Bashkimit Evropian, sidomos sepse ata vononin (butësisht thënë!) negociatat tona me ta,” shkroi presidenti amerikan në rrjetin social Truth Social.
“Kujtoni, unë kam autorizim të ‘VENDOS DOGANË’ për tregtinë me Shtetet e Bashkuara nëse nuk arrijmë një marrëveshje ose nëse trajtohemi në mënyrë të padrejtë. Sapo më njoftuan se BE-ja ka thirrur për të caktuar shpejt datat e takimeve. Kjo është një ngjarje pozitive dhe shpresoj që, më në fund, ashtu siç kam kërkuar edhe nga Kina, do të hapë shtetet evropiane për tregti me Shtetet e Bashkuara. Të dy do të jenë shumë të lumtur dhe të suksesshëm nëse ndodh”, shtoi ai.
Kjo deklaratë vjen pas një qetësimi relativ të marrëdhënieve midis Brukselit dhe Uashingtonit, pasi biseda mes Trumpit dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të dielën çoi në shtyrjen e vendosjes së taksës doganore prej 50 për qind mbi të gjitha mallrat evropiane nga 1 qershori në 9 korrik.
Kjo bisedë shënoi një kthesë pozitive në negociatat midis dy palëve, pas muajsh pakënaqësie në rritje nga evropianët për shkak se Uashingtoni nuk pranonte propozimet e bllokut, por kërkonte koncesione të njëanshme.
Biseda midis Trumpit dhe Von der Leyen të dielën dha “një shtytje të re” për negociatat midis dy palëve, tha dje Paula Pinho, zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian.
“Dhe prej aty do të vazhdojmë. Është pozitive të shihet se ka angazhim në nivelin e presidentit, dhe nga ana jonë gjithmonë kemi thënë se jemi të gatshëm të arrijmë një marrëveshje”, tha Pinho.