
Një video e publikuar së fundmi në TikTok po bën xhiron e rrjeteve sociale, duke magjepsur përdoruesit me pamje të mrekullueshme të qytetit të Pejës. Pas saj qëndron Elvis Perlleshi, arkitekt nga Klina, i cili përveç profesionit të tij, është i pasionuar pas fotografisë dhe editimit të videove.
Përmes një droni dhe një syri artistik, Perlleshi ka arritur të kapë esencën e një prej qyteteve më të bukura të Kosovës – Pejës. Videoja përfshin pamje panoramike që shpalosin ndërthurjen harmonike të natyrës me urbanizmin, me malin që qëndron krenar në sfond dhe rrugicat që rrezatojnë jetë në çdo kthesë.
Drita e mëngjesit dhe ngjyrat e ngrohta të perëndimit janë përzgjedhur me kujdes për t’i dhënë ndjesi emocionale çdo sekonde të videos, ndërsa muzika e zgjedhur në sfond e bën përjetimin edhe më të veçantë.