
Një skandal i ri ka përfshirë Brukselin dhe NATO-n, pasi Republika Çeke ka akuzuar Kinën për një sulm kibernetik ndaj Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme.
Sipas autoriteteve çeke, grupi shtetëror kinez i hakerëve, Advanced Persistent Threat 31 (APT31), ka qenë i përqendruar në këtë ministri që nga viti 2022, duke komprometuar mijëra email-e jo të klasifikuara dhe duke lexuar korrespondencën ndërmjet ambasadave dhe institucioneve të BE-së .
Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, ka deklaruar se do të thërrasë ambasadorin kinez për të paraqitur gjetjet e hetimit dhe ka paralajmëruar se ky incident do të dëmtojë marrëdhëniet dypalëshe. Ai theksoi se ky është hera e parë që qeveria çeke i atribuon një sulm kibernetik të sponsorizuar nga shteti një vendi të caktuar.
Hetimi është kryer nga shërbimet çeke të sigurisë dhe inteligjencës, duke përfshirë Shërbimin e Sigurisë dhe Informacionit, Shërbimin e Inteligjencës Ushtarake, Zyrën për Marrëdhënie të Jashtme dhe Informacion, si dhe Agjencinë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike dhe Informatike (NUKIB). Autoritetet kanë një nivel të lartë sigurie në lidhje me identitetin e sulmuesve.
APT31, sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, vepron nën Ministrinë e Sigurisë Shtetërore të Kinës në qytetin Wuhan. Ky grup është akuzuar më parë për sulme të profilit të lartë, duke përfshirë hakerimin e email-eve personale të anëtarëve të fushatës së kandidatit presidencial amerikan Joe Biden në vitin 2020. Në vitin 2024, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj personave të lidhur me APT31.
Sulmi i supozuar kinez ka shkaktuar zemërim në Bruksel, ndër zyrtarët e lartë të BE-së dhe në selinë e NATO-s. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për punët e jashtme, Kaja Kallas, ka shprehur solidaritet me Çekinë dhe ka bërë thirrje që të gjitha shtetet, përfshirë Kinën, të përmbahen nga sjellje të tilla dhe të respektojnë të drejtën ndërkombëtare.
NATO ka deklaruar se kërcënimet kibernetike vazhdojnë të përpiqen të destabilizojnë Aleancën dhe është e vendosur të zbulojë dhe të kundërshtojë këto kërcënime, duke përfshirë ato ndaj sistemeve demokratike dhe infrastrukturës kritike.