Press ESC to close

Rritja prej 16% e tarifave të energjisë, Avokati i Popullit kërkon pezullim të vendimeve të ZRRE-së deri në vlerësim të plotë ligjor!

 

Avokati i Popullit ka publikuar sot opinionin rreth vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 16.1%.

Ky opinion vlerëson se vendimi cenon drejtpërdrejt të drejtat themelore të qytetarëve dhe rëndon veçanërisht familjet në nevojë dhe përfituesit e asistencës sociale.

Sipas opinionit, “rritja për 16.1% e tarifave për energjinë elektrike ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës, duke rënduar veçanërisht situatën e konsumatorëve në nevojë dhe të familjeve që përfitojnë asistencë sociale”.

Avokati i Popullit shpreh shqetësime serioze për mungesën e koordinimit ndërinstitucional dhe mosrespektimin e Ligjit për Energjinë Elektrike, konkretisht nenit 49, i cili kërkon konsultim me institucionet për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë.

Në opinion theksohet se “mungesa e institucioneve të konstituuara në kohën e marrjes së vendimeve ka pamundësuar një proces të balancuar dhe të përgjegjshëm”.

“Në përgjigje të shqetësimeve që ka pranuar nga ankesat e qytetarëve, përfaqësues të sektorit privat, Oda Ekonomike e Kosovës dhe avokatë të palëve të prekura, Avokati i Popullit ka vlerësuar se:

• Qeveria e Republikës së Kosovës ka obligim të veprojë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Energjinë Elektrike, në mënyrë që vendimet e tilla të ZRRE, të përcillen me masa përmes të cilave do mbrohen të drejtat e konsumatorëve në nevojë dhe kategoritë e tjera të cenueshme, e po ashtu të ndërmarrin masa konkrete me qëllim të krijimit e kushteve të përballueshme edhe për komunitetin e biznesit, duke krijuar kushte të përshtatshme për liberalizim të tregut me kushte të favorshme, si dhe duke marr masa me qëllim që të shmangët krijimi i monopolit.

• Mungesa e institucioneve të konstituuara në kohën e marrjes së vendimeve ka pamundësuar një proces të balancuar dhe të përgjegjshëm.

• Vendimet e marra në mungesë të kapaciteteve të plota institucionale mund të sjellin pasoja të pariparueshme për qytetarët dhe nuk i shërbejnë interesit publik. Në këtë kontekst, është e domosdoshme të theksohet përgjegjësia që bie mbi qeverinë dhe institucionet përkatëse, të cilat kanë për detyrë të garantojnë një proces të rregullt, të drejtë dhe transparent në menaxhimin e kësaj çështjeje. Mungesa e transparencës gjatë procesit ka kontribuar në rritjen e mosbesimit publik, ndërsa shqetësimet e ngritura nga qytetarët kanë mbetur pa përgjigje adekuate, duke thelluar ndjenjën e papërgjegjshmërisë institucionale.

• Nëse nuk merren masa të menjëhershme dhe konkrete për të përmbushur detyrimet ligjore ndaj qytetarëve, situata mund të marrë përmasa shqetësuese”, thuhet në opinion.

Një nga kërkesat kyçe të këtij opinioni është pezullimi i menjëhershëm i vendimeve të ZRRE-së, përkatësisht vendimit V_2697_2025, V_2702_2025 (nr.prot. 252/2025, i datës 29 prill 2025), V_2698_2025 dhe V_2703_2025 (nr.prot. 253/2025, i datës 29 prill 2025).

“Nevojitet një reagim serioz dhe i koordinuar nga ana e qeverisë dhe autoriteteve të përfshira, për të garantuar transparencë, llogaridhënie dhe zgjidhje të qëndrueshme”, thuhet në opinion.

Avokati i Popullit rithekson rëndësinë e garantimit të një procesi të drejtë dhe transparent në vendimmarrje dhe apelon për respektim të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

“Është obligim i secilit institucion në Republikën e Kosovës, që të angazhohen në drejtim të ofrimit të shërbimeve në të mirë dhe dobi të qytetarëve”, përfundon opinioni.

- Sponsored Ad - Advertisement