
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në cilësinë e Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), mori pjesë në ushtrimin ndërkombëtar Defender Europe ’25, një prej operacioneve më të mëdha ushtarake.
Kosova ka jo vetëm rolin e pjesëmarrëses, por edhe të nikoqires së këtij ushtrimi strategjik që përfshin mijëra trupa nga SHBA dhe vendet aleate të NATO-s.
“Krah për krah me forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të tjerë të NATO-s, vendi ynë po shkruan një kapitull të ri të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar,” deklaroi presidentja Osmani në një postim zyrtar.
Ajo theksoi se vetëm dy ditë më parë, gjatë një vizite në SHBA, ishte diskutuar vizioni i përbashkët për mbrojtjen e Evropës, ndërsa sot ky vizion po zbatohet në terren, në tokën e Kosovës, përmes ushtrimit Defender Europe ’25.
Presidentja njoftoi se rreth 1000 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të angazhuar në këtë operacion, duke i cilësuar si “profesionistë të barabartë me aleatët nga vendet më të fuqishme të botës”.
Ky angazhim, sipas saj, është një dëshmi e qartë se Kosova jo vetëm që kontribuon në siguri dhe paqe, por edhe se është plotësisht e gatshme të bëhet pjesë e strukturave të NATO-s.