
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, përmes Njësitit kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, ka bërë të ditur se ka ndaluar dhjetë (10) persona të dyshuar për përfshirje në vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit, të dyshuarit janë zyrtarë publikë, për të cilët ekziston dyshimi se kanë kërkuar ryshfet nga kandidatët për patentë shofer, duke u mundësuar atyre pajisjen e kundërligjshme me këtë dokument.
Ndaj të dyshuarve rëndojnë veprat penale “Ushtrimi i ndikimit” (neni 424), “Marrja e ryshfetit” (neni 421), “Dhënia e ryshfetit” (neni 422), si dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” (neni 414) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Bastisjet janë kryer në disa lokacione të ndryshme, ku gjatë aksionit janë sekuestruar prova materiale, përfshirë armë zjarri (kallashnikovë), armë gjahu, municion, para të gatshme, telefona celularë dhe shtëpiza kompjuterësh.
Hetimet janë zhvilluar për disa muaj dhe përfshijnë zbatimin e masave të fshehta të hetimit, me kërkesë të prokurorit të shtetit dhe me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake.
Prokuroria ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh për të dyshuarit dhe ka paralajmëruar se brenda afateve ligjore do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Në njoftim thuhet se Prokuroria mbetet e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, duke theksuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për parandalimin dhe ndëshkimin e këtyre veprave.