
Tetë persona kanë humbur jetën nga një bombardim izraelit pranë kryqëzimit Al-Saraya në qytetin e Gazës.
Ministria e Punëve të Brendshme në Gaza e ka konfirmuar këtë informacion dhe ka lëshuar një njoftim të shkurtër.
“Aeroplanët pushtues izraelitë kanë sulmuar sot pasdite disa policë në kryqëzimin Saraya, në qendër të Gazës, ndërsa ata po kryenin detyrën e tyre për t’iu kundërvënë një grupi hajdutësh”, thuhet në njoftim.
Ministria ka shtuar se hajdutët dhe forcat izraelite po bashkëpunojnë me qëllim që të “krijojnë kaos dhe të përhapin frikë mes qytetarëve”.
“Pavarësisht viktimave të shumta dhe humbjeve të mëdha në radhët e forcave të sigurisë dhe policisë, nuk do ta braktisim detyrën tonë dhe do të vazhdojmë të mbrojmë jetët dhe pasurinë e qytetarëve”, ka deklaruar ministria.
Ndryshe, lufta e fundit midis Izraelit dhe Hamasit filloi më 7 tetor të vitit 2023. Në këtë ditë, Hamasi organizoi një sulm të papritur, duke hyrë në disa zona të Izraelit dhe kapur pengje.
Ky sulm shkaktoi një përgjigje të menjëhershme dhe të fuqishme ushtarake nga ana e Izraelit në Rripin e Gazës, ku deri më tani raportohet se kanë vdekur mbi 50 mijë palestinezë.