
Lajme të reja kanë mbërritur nga bota e GTA-së. Gjatë zhvillimit të pothuajse çdo video-loje, disa përmbajtje zakonisht priten ose hiqen – zakonisht sepse zhvilluesit vendosin që ato janë të panevojshme, të papërfunduara, ose thjesht nuk janë argëtuese.
E njëjta gjë vlen edhe për lojërat e Rockstar-it. GTA: San Andreas, një prej lojërave më të famshme të serisë, ka mbetur pa shumë përmbajtje që fillimisht ishte planifikuar të përfshihej.
Për shembull, në San Andreas ishte planifikuar që të përfshihej vozitja e skejtbordit, ndërsa është e njohur edhe skandali me mini-lojën “Hot Coffee”, një përmbajtje seksuale e fshehur aksidentalisht në versionin për PC dhe e aktivizuar përmes një modifikimi, raporton HCL.Arsyeja pse kjo përmendet tani është se një grup modifikuesish (modders) ka vendosur të krijojë një shtesë që do të plotësojë San Andreas me përmbajtje të hequra nga versioni beta.
Projekti quhet GTA: Recall San Andreas dhe qëllimi i tyre është të shtojnë në video-lojë misione të papublikuara më parë, si dhe personazhe dhe lokacione që nuk arritën të përfshihen në versionin përfundimtar të video-lojës. Ata gjithashtu planifikojnë të përmirësojnë disa elementë të “gameplay”.
Tani, e gjithë kjo tingëllon mjaft interesante, por pyetja mbetet nëse GTA: Recall San Andreas do të shohë ndonjëherë dritën e publikimit. Rockstar në vitet e fundit është treguar mjaft i rreptë ndaj disa llojeve të projekteve të modifikimit. Edhe pse ky projekt ndoshta nuk paraqet ndonjë kërcënim serioz për ta, fjala e fundit do t’i përkasë atyre – nëse vendosin të reagojnë fare.
Sipas planit, GTA: Recall San Andreas pritet të përfundojë diku gjatë këtij viti, dhe në këtë video mund të shihni disa prej misioneve që nuk ishin përfshirë në versionin origjinal të video-lojës.