Press ESC to close

Nga fushat e Kosovës, në magjinë e Leo Messit – ëndrra që u bë “fotografi e përjetshme” për Albert Sinanin

 

Albert Sinani është një fotograf profesionist nga Kosova, i cili tash e një kohë jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I njohur për punën e tij të përkushtuar në fushën e fotografisë sportive, Sinani dikur ishte fotografi zyrtar i klubit të futbollit Feronikeli, ku së bashku me stafin e atij ekipi kontribuoi në një transformim të rëndësishëm në mënyrën se si klubet sportive komunikonin vizualisht dhe mediatikisht me publikun.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Sinani u vlerësua gjithashtu me çmime për fotografi sportive, duke u bërë një nga emrat më të dalluar në këtë fushë. Por përkushtimi dhe pasioni i tij për fotografinë nuk kishin kufij, dhe rruga e tij profesionale e çoi deri në një nga skenat më të mëdha të futbollit – Major League Soccer në SHBA.

Së fundmi, ai pati mundësinë unike të fotografonte një nga legjendat më të mëdha të futbollit, Lionel Messin, gjatë një ndeshjeje të Inter Miami-t. Ky moment, për të, nuk ishte vetëm një punë – ishte realizimi i një ëndrre të vjetër.

“Gjatë karrierës sime si fotograf, kam kapur mijëra momente – gola, emocione, trofe dhe histori njerëzore që ndodhin në fushën e blertë. Por ndjesia që përjetova kur u gjenda përballë Lionel Messit ishte krejtësisht ndryshe”.

Ai kujton emocionin e veçantë që përjetoi gjatë ndeshjes, pasi para tij kishte një legjendë, siç e quan ai Messin.

“Jam rritur duke e ndjekur Messin në televizor. Për ne që kemi pasion për futbollin, ai nuk është thjesht një lojtar – është frymëzim, është legjendë. Dhe ja ku isha tani, në vijën anësore të fushës, duke ndjekur nga afër çdo hap, çdo driblim, çdo lëvizje të tij në kohë reale.”

- Sponsored Ad - Advertisement