Press ESC to close

Sony ka shitur 77,8 milionë konzola PS5 deri më tani, por pritet që të rritet çmimi i tyre

Sony ka shitur 77,8 milionë njësi të PlayStation 5 që nga prezantimi në vitin 2020, pasi vetëm në tremujorin e fundit janë dërguar 2,8 milionë njësi.

Ky rezultat është pothuajse identik me shifrat e shitjeve të PlayStation 4, e cila në të njëjtën periudhë arriti 79,1 milionë njësi. Megjithatë, shitjet totale të PS5 për vitin fiskal 2024 ishin 18,5 milionë njësi, që është më pak krahasuar me 20,8 milionë të shitura në vitin 2023.

Këtë rënie në numrin e konzolave e ka kompensuar rritja e shitjes së video-lojërave, e cila është rritur me 9 për qind, duke ndihmuar që fitimi operativ i divizionit të rritet me 43 për qind krahasuar me një vit më parë.

Kjo rritje vjen kryesisht nga shitjet e video-lojërave të palëve të treta, pasi shitjet e video-lojërave të prodhuara nga vetë Sony kanë shënuar një rënie të lehtë. Deri më tani, vetëm një video-lojë “first-party” është publikuar këtë vit, ndërkohë që titujt kryesorë si Death Stranding 2: On the Beach dhe Ghost of Yōtei pritet të dalin në të ardhmen.

Sony nuk pret që ky rritje të vazhdojë. Kompania parashikon një humbje prej 100 miliardë jenësh (rreth 700 milionë dollarë) në shitje vitin e ardhshëm për shkak të tarifave doganore, pasi shumica e shitjeve ndodhin në SHBA. Kompania ka paralajmëruar më parë stagnim të të ardhurave në vitin 2025.

Një tjetër goditje për kompaninë është shtyrja e publikimit të Grand Theft Auto VI nga Rockstar, i cili tani është caktuar për maj 2026. Gjatë raportit të të ardhurave, Sony tha se po shqyrton mundësinë e “kalimit” të kostove shtesë të tarifave tek konsumatorët, megjithëse nuk e përmendi specifikisht PS5 ose tregun amerikan. Me fjalë të tjera, priten rritje të mëtejshme çmimesh për konsolat dhe lojërat e PlayStation.Sony tashmë e ka rritur çmimin e PS5 në disa tregje, përfshirë Europën. Drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Hiroki Totoki, gjithashtu përmendi mundësinë që prodhimi i PS5 të zhvendoset në SHBA, duke thënë se kjo është diçka që “duhet shqyrtuar në të ardhmen”.

- Sponsored Ad - Advertisement