Press ESC to close

Shpërndahen 12,000 peceta higjienike në pesë shkolla publike në Kosovë

Teach For Kosova dhe Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA kanë lansuar fushatën “Peceta nuk është luks” në pesë shkolla publike në Kosovë, në kuadër të projektit “Let Girls Thrive”, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Higjienës Menstruale – 28 Majin.

Fushata ka për qëllim të rrisë vetëdijen rreth shëndetit menstrual, të luftojë stigmatizimin dhe të theksojë rëndësinë që vajzat dhe gratë të kenë qasje të barabartë në produkte menstruale.

“Aktivitetet janë organizuar në shkolla fillore në komunat e Skenderajt, Hanit të Elezit, Deçanit, Skenderajt dhe Gjilanit, ku nxënësit përgatitën dhurata simbolike me produkte menstruale dhe shpërndanë broshura informuese mbi shëndetin menstrual për bashkëmoshatarët e tyre”, bëhet e ditur në njoftimin e tyre.

Tutje, theksohet se në secilën nga shkollat u vendosën kuti me peceta higjienike, ndërsa secila shkollë u furnizua me 2,400 peceta higjienike, me qëllim të krijimit të një mjedisi më të sigurt dhe mbështetës për vajzat në shkolla.

Fushata “Peceta nuk është luks” është pjesë e projektit “Let Girls Thrive”, i cili implementohet nga Teach For Kosova dhe QIKA, dhe financohet nga Teach For All.

 

- Sponsored Ad - Advertisement